Marco Rubio pranon ftesën për në Tiranë – Ervin Bushati jep lajmin pas takimit me Sekretarin e Shtetit

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Ervin Bushati, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Sekretarin amerikan Marco Rubio, të cilin e ka ftuar zyrtarisht për të vizituar Shqipërinë në emër të kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati ndau edhe një foto nga takimi me Rubio, të cilin e cilësoi si një “mik të shqiptarëve”, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

“E ftova Sekretarin Rubio të vizitojë Tiranën – Portën e Ballkanit për SHBA – për dy arsye:

Së pari, sepse Shqipëria është një sukses i diplomacisë amerikane, duke kaluar nga një diktaturë komuniste në një ndër vendet më pro-amerikane dhe pro-NATO në Europë.

Së dyti, sepse jemi një komb i vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza, me një mesazh për më shumë dashuri dhe shërbim me përulësi në rrugën drejt BE-së,” – shkroi ambasadori Bushati.

Sipas tij, Rubio e pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Tiranën, duke shprehur vlerësim të lartë për kontributin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës së NATO-s, sidomos pas zhvillimeve të fundit në samitin e Hagës.

Takimi u zhvillua në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilën ambasadori shqiptar në Uashington dha një mesazh simbolik:

“4 Korriku nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së SHBA-ve, por edhe Deklarata e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën.”

Postimi i plotë:
Sekretari Marco Rubio është mik i Shqiptarëve 🇦🇱.
Në emër të KM RAMA e ftova te vizitojë Tiranën; Portën e Ballkanit për US, për dy arsye:
•Shqipëria është edhe një mrekulli e diplomacisë Amerikane🇺🇸: nga një diktaturë komuniste që njihej si “Koreja e Veriut në Europë”, sot në vendin më pro Amerikan & pro NATO kudo.
•E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza: mesazhi ynë nesër për në EU 🇪🇺 “më shumë Dashuri edhe më shumë shërbim me përulësi”.
•Secretari Rubio pranoi ftesën me kënaqësi – në funksion edhe të agendës shumë të ngjeshur të Diplomacisë Amerikane sot- të vizitojë “një vend që e vlerëson si kontributor në NATO, sidomos pas vizitës së fundit në Hague”.

4 Korrik nuk është thjesht Dita e Pavarësisë së SHBA – është Deklarata e Lirisë & Demokracisë për gjithë Botën tonë.