Maqedonia e Veriut në prag të fushatës presidenciale, VOA: Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin dhe Arben Taravarin


Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut po mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë. Për këtë duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e tridhjetë deputetëve në parlament. Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndër ta edhe individë të panjohur për publikun. Partitë shqiptare edhe pse garojnë për zgjedhjet e 24 prillit, po e përqendrojnë kërkesën e tyre tek zgjedhja e presdentit me konsensus në parlament.

Garuesit e partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate pritet të konfirmohen nga kuvendet qendrore të partive. Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate do të garojë për një mandat të dytë, teksa Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së garon sërish pas pesë vjetësh. Në vitin 2019 ajo humbi përballë zotit Pendarovski.