Manja në Ditën e Drejtësisë: Përgëzoj punën e institucioneve, por kemi ende sfida
Në ditën e Drejtësisë, Ministri Ulsi Manja u shpreh se mbështetja ndaj Reformës në Drejtësi nga mazhoranca, do të vazhdojë pa u ndërprerë.
Gjatë fjalës së tij ministri i Drejtësisë përgëzoi punën e institucioneve, teksa u shpreh se ka ende sfida për të pasur një shërbim dinjitoz për qytetarët.
“Unë e di që gjyqtarët dhe prokurorët nuk i kanë qejf shumë këto fjalimet e gjata, por sot është ditë feste dhe ma bëni hallall.
Sa na takon si qeveri dhe si shumicë parlamentare, ne do vazhdojmë të mbështesim pa rezerva konsolidimin e një sistemi drejtësie të qëndrueshëm që promovon llogaridhënien në të gjitha nivelet.
Kemi ende sfida që përballemi për të dhënë një shërbim dinjitoz për qytetarët”, tha ai.
Manja u shpreh se mirëpret çdo propozim që sipas tij kërkon angazhimin e ministrisë së Drejtësisë dhe që synon vijimin e reformës në drejtësi.
Ministri i Drejtësisë shtoi se duhen rezultate konkrete, të matshme për qytetarët, teksa bëri thirrje për uljen e stokut të dosjeve që presin.