Mandati i Xhaçkës bën Ramën të reflektojë, vendos tjetër kusht për Investimet Strategjike
Qeveria shqiptare ka vendosur të bëjë disa ndryshime ne ligjin për investimet strategjike.
Kjo e fundit ka marrë për bazë sugjerimet e dhëna nga FMN për rritjen e rolit të ministrisë së Financave në investimet strategjike dhe PPP-të duke shtuar kompetencat e saj në monitorim dhe menaxhim të këtyre projekteve për vitin 2023 e në vijim.
Në programin e Reformave Ekonomike 2023-2025, MFE tregon se është parashikuar që për projektet që janë mbi një vlerë të caktuar të miratuar nga ministri i Financave, të miratohen vetëm ato që cilësohen si me rëndësi kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe social, pavarësisht nga burimi i financimit të tyre. Projektet primare miratohen me VKM në përputhje me hapësirën fiskale.
Aty thuhet se për projektet që kalojnë vlerën kufi do të jenë të detyruara të dërgojnë dhe projekte fizibiliteti në MFE, me 15 kapituj, që shtohet në vendim si aneks, ku duhet të përfshihet dhe analiza kosto-përfitim nga kompanitë.