Mandat dhe miliona nga qytetarët/ Misioni i Vasil Llajos në politikë: Nga fushata e shtrenjtë tek miliona euro nga buxheti publik

Gjatë fushatës elektorale, kandidati socialist për Sarandën, Vasil Llajo, u promovua gjerësisht në media përmes një spoti elektoral, ku përshkruhej si “bir i Sarandës” me një mision të qartë për t’u shërbyer njerëzve në politikë. Përveç spotit, Llajo u shfaq shpesh në emisione prime time, duke forcuar prezencën e tij para zgjedhjeve.

Megjithatë, kjo fushatë intensive u financua edhe me mjete nga buxheti i shtetit, përmes kompanisë së tij, Layo sh.p.k, e cila operon në sektorin e furnizimit të spitaleve me pajisje mjekësore, sidomos proteza ortopedike. Një ditë pas shpalljes së tij fitues në listën e hapur në qarkun e Fierit, në llogarinë bankare të kompanisë Layo mbërritën 154 mijë euro nga Spitali Universitar i Traumës, një pagesë që ishte vetëm një nga shumë pagesa që kompania merr nga fondet publike.

Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, Layo ka marrë afro 3.5 milionë euro për furnizimin me proteza në spitale publike. Kompania tjetër e lidhur me Llajon, Sëissmed, ka marrë gjithashtu rreth 2 milionë euro nga autoritetet publike për pajisje të ndryshme mjekësore.

Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm tek Llajo. Opozita kohët e fundit ka kërkuar djegien e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, pasi institucionet publike blenë 35 mijë euro produkte nga rrjeti i tij i marketeve, duke nxjerrë në pah përfshirjen e biznesmenëve në politikë që përfitojnë nga fondet publike.

Vasil Llajo, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si deputet, rezulton se po përfiton rreth 35 mijë euro në javë nga buxheti i shtetit. Ky është një model që përsëritet në maxhorancën aktuale, ku shumë deputetë janë lidhur direkt me kompani që përfitojnë miliarda euro nga fondet publike.

Kjo maxhorancë ka patur vazhdimisht konflikte të thella interesi, me deputetë si Pjerin Ndreu, Sadri Abazi, Safet Gjici dhe të tjerë që ishin aksionerë në kompani me kontrata të mëdha shtetërore. Përveç tyre, janë edhe ministra me kompani familjare që kanë përfituar asete dhe favore publike, si dhe aksionerë të fshehtë në skemat e mëdha ekonomike si 5D.