Manchester United rrezikon një revolucion të vërtetë në merkaton e verës.
Plot 13 futbollistë gjenden me valixhe në duar, kjo falë edhe një sondazhi ku votuan tifozë të “djajve të kuq”. Kapiteni Harry Maguire është ai që nuk preferohet aspak në “Old Trafford”, e ndikuar nga gabimet e shumta në repartin e mbrojtjes, çka i kushtuan United edhe atë eliminim nga Europa League përballë Seviljës.
Mbrojtësi është më pak i votuari për të qëndruar me vetëm 11.1%. Pas tij gjenden futbollistë që nuk kanë qënë asnjëherë në planet e trajnerit, Ten Haag, mes të cilëve, Alex Telles, Eric Bailly, Donny van de Beek dhe Anthony Martial, të cilët morën mbështetjen e vetëm 20% të atyre që morën pjesë në sondazh. Larg nga skuadra duan edhe emra si Fred, Scott McTominay dhe De Gea.
Befasia është rreth Jadon Sancho, talentit anglez që pavarësisht besimit të drejtuesve nuk ka arritur të bind tifozët me paraqitjet e tij.
Të shpëtuar mbeten Garnacho, Varane, Casemiro, Luke Shaw, Marcus Rashford, Bruno Fernandes dhe Lisandro Martinez. Por përpos largimeve, United po punon fort edhe në merkaton në hyrje.
Mason Mount është objektivi aktual për “djajtë e kuq”, me talentin anglez që konsiderohet si blerja ideale për sezonin e ri të United. Me një vit të mbetur në kontratën me Chelsea, bindja e Mount nuk do të ishte e vështirë, edhe pse deri më tani janë refuzuar 3 oferta.