Manchester United projekton “dy dhurata” të bujshme për Erik ten Hag
Fitorja e trofeut të Carabao Cup, në garë për titull në Premier League e FA Cup si dhe rrugëtimi fantastik në Kupat e Europës ka rritur euforinë në kampin e Manchester United. “Djajtë e kuq” janë në garë për tituj të tjerë këtë sezon dhe për këtë fakt, drejtuesit po mendojnë “dhurata” të bujshme për trajnerin Erik ten Hag.
Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, United ka projektuar dy futbollistë për në merkaton e verës. Duke iu referuar këtyre burimeve, “djajtë” kanë hedhur sytë nga reparti i sulmit dhe mesi i fushës. Anglezët janë të interesuar për sulmuesin e Napolit, Victor Osimhen dhe për lojtarin e Tottenham, Harry Kane, ndërsa Ten Hag është një admirues i lojtarit të Benfica dhe Portugalisë, Goncalo Ramos. Ndërkaq, në mesfushë holandezi synon afrimin e patriotit të tij, Frenkie de Jong, për të cilin kishte interes edhe në merkaton e janarit.
Mesfushori po mendon largimin nga Barcelona dhe Premier League konsiderohet si destinacioni ideal për të. Gjithashtu, Jude Bellingham mbetet ende një emër i nxehtë edhe pse konkurenca për anglezin është në nivele të larta. Thuajse e gjithë Premier League kërkon shërbimet e 19-vjeçarit të Dortmund kartoni i të cilit vlerësohet me mbi 100 milionë euro.