Manchester City fiton FA Cup, Guardiola tjetër trofe në Angli

Trofeu më i vjetër në botë është në duart e Manchester Cityt.

Pas titullit kampion në Premier League, skuadra e Pep Guardiolës arriti të thyej në finalen e madhe Manchester United 2-1, duke ngritur lart trofeun për herë të 8-të në histori.

Ilkay Gundogan ishte heroi i “citizens” në stadiumin ikonik “Wembley”, me një dopietë personale. Mesfushori zhbllokoi shifrat shumë shpejt, pas vetëm 12 sekondash lojë, për të shënuar golin më të shpejtë në finalen e këtij kompeticioni 152-vjeçar.

Avantazhi u duk se krijoi lirshmëri në radhët e Cityt, gjithsesi United u përgjigj, duke fituar penallti dhe shndërruar në gol nga Bruno Fernandes. Portugezi u tregua i saktë për të kompletuar një tjetër fakt historik, për herë të parë kapitenët shënojnë në finalen e FA Cup.

Për golin e fitores mendoi sërish Ilkay Gundogan, që shënoi për 2-1 në një mënyrë të ngjashme me të fillim-sfidës. Trofeu i dytë për Cityn këtë sezon, teksa do tentojë tripletën në Stamboll kundër Interit në finalen e Ligës së Kampionëve. Ndërkaq, United dështon për të ngritur trofeun në finalen e tyre të 21-të.