Rey Manaj duket se është në prag të një lëvizjeje të re në karrierë, pasi aventura e tij me Sivassporin po i vjen fundi. Sulmuesi shqiptar nga Lushnja, i cili ka kontratë me klubin turk deri në fund të sezonit, nuk ka nisur ende negociatat për rinovim.
Sipas mediave turke, drejtuesit e Sivasspor po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së Manajt në janar, për të përfituar financiarisht dhe për të shmangur largimin e tij si lojtar i lirë në verë.
Një nga opsionet më konkrete është skuadra e Bundesligës, Bochum. Skuadra gjermane, e cila aktualisht ndodhet në fund të tabelës së klasifikimit me vetëm 3 pikë pas 14 ndeshjesh, e sheh sulmuesin shqiptar si zgjidhje për problemet në repartin ofensiv. Manaj shihet si një lojtar kyç që mund të ndihmojë ekipin të shmangë rënien dhe të garantojë gola të rëndësishëm.
Ecuria e Manajt këtë sezon, me 4 gola dhe 1 asistim në 11 ndeshje, ka tërhequr vëmendjen e klubeve në kërkim të një sulmuesi me përvojë dhe efikas. Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.