Policia malazeze ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e Edmond Mustafës në Tivar mëngjesin e sotëm. Siç bëjnë me dije mediat vendase është vënë në pranga Dino Ibrahimovic.
Ka qenë prokurorja Irena Buric që ka konfirmuar arrestimin e Dino Ibrahimovic, i cili dyshohet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve shpërthyese. Ai është dërguar për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë në Podgoricë. Prokurorja për mediat nuk dha sqarime mbi motivin e vrasjes së Mustafës, por tha se do të hetohen të gjitha aspektet që lidhen me vrasjen.
Vrasja ndodhi në rrugën “Marshall Tito” mëngjesin e sotëm në orën 09:10. Dëshmitarët okularë që u gjendën në lokalet pranë thanë se dëgjuan të shtëna dhe më pas panë autorin të largohet me motoçikletë nga vendngjarja ndërsa viktima ishte së bashku me një grua.
Edmond Mustafa ishte i përfshirë në një organizatë kriminale dhe dyshohet se vrasja ka qenë prej një grupi tjetër rival në zonë.