Makina përplaset me turmën gjatë karnavaleve në Mannheim, dy të vdekur dhe 25 të plagosur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të hënë në Mannheim të Gjermanisë, ku një automjet u përplas me turmën e njerëzve gjatë festimeve të karnavaleve. Si pasojë e incidentit, dy persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur, 15 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Sipas mediave gjermane, shoferi i automjetit është arrestuar nga policia, ndërsa ende nuk dihen motivet e këtij akti. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe po verifikojnë nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm apo një aksident tragjik.

Dëshmitarët raportojnë se makina po lëvizte me shpejtësi përmes turmës së njerëzve pranë sheshit Paradeplatz, ndërsa policia ka evakuuar zonën dhe ka vendosur një perimetër sigurie. Një helikopter i policisë është parë duke patrulluar mbi qytet, ndërsa forcat e sigurisë po kontrollojnë rrugët dhe urat që lidhin Mannheim me zonat përreth.

Autoritetet kanë këshilluar qytetarët të shmangin zonën derisa situata të qartësohet. Ky incident vjen në një periudhë kur Gjermania është përballur me disa sulme të ngjashme, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse ka lidhje me raste të tjera të mëparshme.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)