Makina e Papa Françeskut shndërrohet në ambulancë për fëmijët në Gaza! Vatikani: Ishte amaneti i tij i fundit

Një nga automjetet e përdorura nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tokën e Shenjtë në vitin 2014 do të shndërrohet në ambulancë të pajisur posaçërisht për fëmijët në Rripin e Gazës, në një akt simbolik dhe humanitar që Vatikani e cilëson si amanetin e fundit të Papës.

Sipas një deklarate të Vatikanit, Papa Françesku, i cili u nda nga jeta muajin e kaluar, kishte udhëzuar disa muaj më parë që një prej makinave të tij të dhurohej për të ndihmuar fëmijët palestinezë, të cilët janë mes më të goditurve nga lufta. Iniciativa i është besuar Caritas Jerusalem, organizatë katolike e ndihmës, e cila tashmë ka filluar përgatitjet për të pajisur makinën me teste të shpejta, vaksina, aparatura diagnostikuese dhe mjetet e nevojshme për trajtime emergjente.

“Ky nuk është vetëm një automjet. Ky është një mesazh se bota nuk i ka harruar fëmijët e Gazës”, u shpreh Peter Brune, Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Sweden, që mbështet këtë projekt.

Automjeti do të funksionojë si një ambulancë lëvizëse dhe do të vendoset në zonat më të prekura të Gazës, sapo të mundësohet qasja humanitare. Brune theksoi se kjo është një ndërhyrje konkrete në një moment kur sistemi shëndetësor në Gaza është pranë kolapsit total, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme nga Izraeli që nga tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe shpërtheu lufta.

Në deklaratën e Vatikanit thuhet gjithashtu se Papa Françesku kishte mbajtur kontakt të vazhdueshëm me Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza, duke i telefonuar pothuajse çdo ditë gjatë muajve të luftës.