Mafia shqiptare, në krye të trafikut që shpërndan kokainën në Evropë


Në mars të këtij viti autoritetet evropiane dhe braziliane ranë në gjurmët e një organizate që trafikonte drogë të llojit kokainë me shtrirje nga Brazili deri në Dubai. Pas dy vite hetimesh u zbulua se organizata kriminale ka trafikuar 17 tonë drogë në Evropë, 12 nga të cilat janë sekuestruar. Përgjimet e publikuara së fundmi nga mediat e huaja, nxorrën në skenë emrin e një shqiptari të identifikuar me emrin Armando Pacani, 39 vjeç.

Për rreth dhjetë vjet ky grup i shpërndarjes së drogës në Evropë me në krye Pacanin, është ngjitur në krye të trafikut të drogës. Të gjithë anëtarët e grupit raportohet janë shqiptarë, raporton la Repubblica. Madje ajo e krahason rrjetin e shqiptarëve me ndranghetën, teksa shkruan se kanë karakteristika të njëjta.
“Nga një rrjet i vogël që vepronte në nivel lokal, tani e ka zgjeruar sferën e saj të ndikimit në vetë Amerikën Latine. Ata janë të organizuar, kanë para dhe një hierarki të ngurtë të bazuar në lidhjet familjare. Kanë të njëjtat karakteristika të ‘ndranghetës, e cila mbetet mafia më e fortë ndërkombëtare”, shkruan Repubblica për rrjetin e shqiptarëve.