“Mafia shqiptare, forcë ndërkombëtare shumë e madhe” – Prokurori i Përgjithshëm i Barit: Të vendosur për të luftuar këtë “kancer”
Prokurori Publik i Barit dhe njëherësh Prokurori i Përgjithshëm në Itali, Roberto Rossi, ka komentuar sot me tone të forta rolin e mafies shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe veprimtarinë kriminale.
Ai e cilësoi këtë organizatë si një “forcë ndërkombëtare shumë të madhe”, por njëkohësisht theksoi se ekziston një vullnet i përbashkët për ta luftuar.
Në një deklaratë për mediat, Rossi foli në lidhje me operacionin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë të koduar “Ura”, që çoi në lëshimin e 52 urdhër-arresteve në të dyja vendet, ndërkohë që vlerësoi lart bashkëpunimin mes dy sistemëve të drejtësisë dhe veçanërisht punën e SPAK.
Roberto Rossi: Kemi punuar dhe punojmë prej 10 vitesh për arritjen e objektivave të përbashkëta për të luftuar krimin në Shqipëri apo në Itali. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar, dhe në veçanti SPAK, janë shumë të afta për kapjen e veprave bashkë me ne. Kjo forcë e përbashkët është e rëndësishme.
Mafia shqiptare është një forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar me anë të prokurorisë do të jetë në gjendje të luftojë këtë kancer.
Jemi të sinkronizuar bashkë për të arritur këtë objektiv. Ka një prezencë të jashtëzakonshme të policisë gjyqësore italiane dhe policisë gjyqësore shqiptare që bashkë me ne arrijnë objektivat e përbashkëta.