Mafia italiane bashkon forcat! Aleancë mes Cosa Nostra, Camorra dhe Ndrangheta për të kapur miliardat e shtetit
Mafia italiane po ndryshon strategji, duke braktisur konfliktet e dhunshme për territore dhe duke ndërtuar aleanca të reja bashkëpunimi në fushat më fitimprurëse të kriminalitetit, si trafikimi i drogës, rrjetet e prostitucionit dhe pastrimi i parave. Kështu thuhet në raportin vjetor të Agjencisë Kombëtare Antimafia (DIA), publikuar të martën, ku analizohet veprimtaria e grupeve kryesore të krimit të organizuar në Itali.
Sipas raportit, Cosa Nostra nga Siçilia dhe Camorra e Napolit po krijojnë lidhje bashkëpunimi, jo vetëm brenda territorit italian por edhe jashtë tij. Ndërkohë, organizata më e fuqishme dhe më e pasura, ’Ndrangheta, e vendosur në Kalabri, po zhvendos fokusin nga tregtia e drogës drejt kontrollit të projekteve të mëdha publike, veçanërisht atyre të financuara nga Fondi i Rimëkëmbjes post-COVID i BE-së.
“Bashkëjetesa midis grupeve ka krijuar sinergji të strukturuara në mënyrë progresive,” deklaroi drejtori i DIA-s, Michele Carbone, në një konferencë për shtyp. “Këto struktura janë bërë të afta të përthithin mbivendosjet dhe tensionet mes organizatave,” shtoi ai, duke theksuar kalimin nga konfrontimi në koordinim të drejtpërdrejtë kriminal.
Projekte madhore si ndërtimi i urës mbi Ngushticën e Mesinës, që do të lidhë Siçilinë me Italinë kontinentale, si dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore 2026, janë identifikuar si veçanërisht të rrezikuara nga infiltrimi mafioz. Vetëm gjatë vitit 2024, 38% e masave administrative antimafia ishin të përqendruara në sektorin e ndërtimit, me hetime në mbi 200 kantiere për projekte publike.
Drejtori Carbone paralajmëroi se strukturat e DIA-s janë në gatishmëri për të parandaluar çdo përfshirje të mafias në ndërtimin e urës së re. “Së shpejti do të nisin të gjitha aktivitetet parandaluese në këtë drejtim,” theksoi ai.
Raporti evidenton edhe zhvillimin teknologjik të mafias, përfshirë përdorimin e kanaleve të koduara të komunikimit dhe dronëve për të mbajtur kontakt me anëtarët e burgosur të organizatave.
Një tjetër aspekt alarmues është përdorimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve kineze të “bankave nëntokësore” për pastrim parash – një sistem i sofistikuar informal që i shmang rregullat bankare tradicionale.
Ndërkohë, mafia po rekruton të rinj të margjinalizuar përmes asaj që DIA e cilëson si “banda fëmijësh”, të cilët përfshihen në aktivitete kriminale të nxitura edhe nga shfaqje spektakolare të pushtetit në rrjetet sociale, që i frymëzojnë të imitojnë dhunën dhe stilin mafioz.