Macron vizitë zyrtare në Beograd në 29-30 gusht
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht. Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiç.
Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë. Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiq muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.
Në shkurt të vitit 2023, Vuçiç u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”. Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris, më 8 prill 2024. Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje.