Macron uron Ramën për fitoren më 11 maj: Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt BE, Franca do të jetë krah jush

Presidenti francez Emmanuel Macron ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren dhe rezultatin e thellë në zgjedhjet e 11 majit, duke vlerësuar përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Macron theksoi rëndësinë e këtij rezultati për vazhdimin e reformave dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Ju uroj për rizgjedhjen dhe mbështetjen që morët, sepse është pikërisht ky rezultat që do të na mundësojë të ndjekim axhendën shumë ambicioze për integrimin tuaj në BE,” tha Macron gjatë konferencës për shtyp me Ramën.

Macron vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar demokracinë dhe për të përmbushur kriteret e anëtarësimit, duke theksuar se Franca do të vazhdojë të mbështesë Tiranën në këtë rrugë.

“Shqipëria ka bërë shumë përparime dhe jam i lumtur për mandatin e qartë që morët. Rruga juaj është shumë e qartë. Franca do të jetë krah jush në këtë rrugë dhe në këto reforma dhe do të sigurohemi që puna juaj të vlerësohet,” theksoi Macron, duke nënvizuar se Shqipëria është një shembull i mirë për vendet e tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në BE.