Macron telefonatë me presidentin iranian: Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një telefonatë me presidentin e ri të Iranit, Masoud Pezeshkian, gjatë së cilës kanë diskutuar mbi programin bërthamor iranian dhe tensionet në Lindjen e Mesme. Macron theksoi se është e domosdoshme që Irani të mos pajiset asnjëherë me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një detyrim për të garantuar paqen dhe sigurinë globale.

Në një postim në rrjetin social X, kreu i Elizesë deklaroi: “Unë po kërkoj: Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore dhe është detyrë e tij të ofrojë çdo garanci se qëllimet e tij janë paqësore. Jam i bindur se ka një rrugëdalje nga lufta dhe për të shmangur rreziqe më të mëdha. Për ta arritur këtë ne do të përshpejtojmë negociatat e udhëhequra nga Franca dhe partnerët e saj evropianë me Iranin”.

Macron tha gjithashtu se ka rënë dakord me Pezeshkian për të intensifikuar përpjekjet diplomatike dhe për të nxitur një dialog konstruktiv mes Iranit dhe fuqive evropiane, në përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm. Ai nënvizoi angazhimin e Francës për të vepruar së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme.