Macron: Të përmbushet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Presidenti francez Emmanuel Macron, tha të hënën se vendi i tij synon të sigurohet që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, do të përmbushet. Ky normalizim, tha ai. “është një zotim për qëndrueshmërinë e rajonit dhe të kontinentit tonë”.

Presidenti Macron i bëri këto komente në një konferencë shtypi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para një takimi në Paris ku të hënën në mbrëmje do të diskutojnë rreth mbrojtjes dhe sigurisë evropiane, marrëdhënieve dypalëshe në këto fusha si dhe procesin e normalizimit Kosovë – Serbi, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

“Ndërsa agresioni rus në Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, ne kemi hyrë në një epokë të re që është ajo e ribashkimit të vazhdueshëm të Evropës sonë. Integrimi i Serbisë është në interesin tonë të përbashkët. Nuk është një proces i imponuar, është zgjedhje sovrane e Serbisë. Është zgjedhja për të ecur lirisht drejt një modeli që na lejon të mbrojmë më mirë sovranitetin tonë së bashku dhe jam i bindur se Serbia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në forcimin e autonomisë strategjike të Bashkimit Evropian”, tha presidenti francez, duke theksuar se Serbia duhet “të harmonizojë qëndrimet e saj me BE-në”.