Macron pas telefonatës me Putinin: Nuk ka përparim për Ukrainën, ende larg armëpushimit
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përparim domethënës në përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Deklarata vjen pas një bisede telefonike që ai zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin, duke reflektuar vijimin e ngërçit diplomatik mes Perëndimit dhe Kremlinit.
Në një intervistë për televizionin francez BFMTV, Macron theksoi se dallimet mes Parisit dhe Moskës mbeten të pakapërcyeshme, duke shtuar se nuk ka hapësirë për bisedime pa një armëpushim të qartë dhe të qëndrueshëm.
“Nuk mund të them se ka pasur ndonjë përparim në bisedime, pasi më parë është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje për armëpushim dhe të rinisin negociatat,” – tha Macron.
“Armëpushimi duhet të hapë rrugën për paqen.”
Presidenti francez shpjegoi se megjithëse dialogu për Ukrainën mbetet në vendnumëro, ai ka zgjedhur të mbajë linjat e komunikimit të hapura me presidentin rus për arsye të tjera strategjike, përfshirë regjimin e mos-përhapjes së armëve bërthamore.
“E thirra Putinin kryesisht për të diskutuar çështjen iraniane dhe rëndësinë e ruajtjes së Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore. Ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar,” – deklaroi Macron.