Macron në Samitin e Tiranës: Duhet të rrisim bashkëpunimin ekonomik duke hequr barrierat tregtare

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve europiane, duke hequr barrierat tregtare për të forcuar pozicionin e kontinentit në tregjet globale.

“Siguria ekonomike është thelbësore. Përfaqësojmë mbi 700 milionë banorë dhe ky është një treg shumë më i madh dhe më me ndikim se tregu kinez. Na duhet të rrisim bashkëpunimin duke hequr barrierat tregtare. Europa e madhe duhet të jetë më e bashkuar nga pikëpamja tregtare,” u shpreh Macron.

Presidenti francez theksoi se përballë konkurrencës së pandershme, është thelbësore që Europa të jetë më e integruar dhe më e fortë për të mbrojtur tregjet e saj. Ai propozoi ngritjen e një sekretariati të përbashkët ekonomik, që mund të përfshijë edhe praninë e Këshillit të Europës, si një hap për të forcuar më tej unitetin e kontinentit.

“Nuk e di nëse ka dorë Zeusi, por rreziqet janë të pranishme. Është koha të ngrihemi dhe t’i dalim për zot situatës. Faleminderit që na pritët në Tiranë dhe që e doni kaq shumë Europën,” përfundoi Macron.