Macron jep alarmin: Europa përballë kërcënimit më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Europa ndodhet përballë kërcënimit më të madh që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ka shpallur plane për një rritje të fortë të shpenzimeve të mbrojtjes në Francë.

Në një fjalim të mbajtur në Paris përpara forcave të armatosura, Macron tha se bota po kalon një moment kyç gjeopolitik, duke denoncuar hapur “politikat imperialiste” dhe “fuqitë aneksuese”, me një referencë të drejtpërdrejtë ndaj kërcënimit që vjen nga Rusia.

“Për të qenë i lirë në këtë botë, duhet të të kenë frikë. Dhe që të të kenë frikë, duhet të jesh i fuqishëm”, – deklaroi Macron.

Ai propozoi që buxheti i mbrojtjes të rritet me 3.5 miliardë euro në vitin 2026 dhe më pas me 3 miliardë euro të tjera në vitin 2027. Këto plane ende presin miratimin e qeverisë franceze.

Macron përmendi gjithashtu rikthimin e kërcënimit bërthamor, bombardimet amerikane ndaj Iranit, tensionet midis Indisë dhe Pakistanit, si dhe ulje-ngritjet e mbështetjes amerikane për Ukrainën.

Ndërkohë, kreu i ushtrisë franceze, Thierry Burkhard, deklaroi së fundmi se Moska e sheh Francën si armikun e saj kryesor në Europë, duke forcuar më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në kontinent.