Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar një reagim të fortë nga Bashkimi Evropian ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj mallrave evropiane.
Duke folur përpara një takimi me liderët e BE-së në Bruksel, Macron deklaroi se Europa do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e saj.
“Nëse sulmohen interesat tona komerciale, Europa, si një fuqi e vërtetë, do të duhet të respektohet dhe për këtë arsye do të reagojë,” tha Macron.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se BE-ja është e gatshme të përgjigjet, por vuri në dukje se bashkëpunimi mbetet prioritet. Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se një luftë tregtare nuk do të kishte fitues.
Kryeministri polak Donald Tusk dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen po ashtu bënë thirrje për një qasje të matur, por thanë se Evropa duhet të përgjigjet kolektivisht nëse përballet me masa të ashpra nga SHBA.
Presidenti Trump vendosi tarifa të larta ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës gjatë fundjavës, duke shkaktuar reagime të ashpra. Ai njoftoi gjithashtu se SHBA-ja po shqyrton tarifa të reja për BE-në, duke kritikuar deficitin tregtar dhe kërkuar që Evropa të importojë më shumë produkte amerikane.
Trump nuk dha një afat të saktë për tarifat ndaj BE-së, por paralajmëroi se ato mund të vendosen së shpejti. “Bashkimi Evropian na ka trajtuar tmerrësisht keq,” tha ai për gazetarët të premten.
Liderët evropianë pritet të diskutojnë hapat e mëtejshëm në përgjigje të kërcënimeve të Trump në ditët në vijim.