Macron i bën thirrje Iranit të marrë pjesë në negociatat e armëpushimit me Izraelin! Ja propozimi i BE-së për Teheranin
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë një thirrje të qartë publike ndaj Iranit që të përfshihet në negociatat gjithëpërfshirëse për arritjen e një armëpushimi me Izraelin, në përpjekje për të frenuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Duke folur nga Panairi Ajror i Bourges, pranë Parisit, Macron deklaroi se korniza e negociatave do të konkretizohet pas takimit të pritshëm në Gjenevë mes ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të lartë të diplomacisë iraniane. Ai bëri të ditur se propozimi i BE-së për Teheranin do të përfshijë disa kushte kyçe: ndërprerja e plotë e pasurimit të uraniumit nga Irani, vendosja e kufizimeve të qarta mbi programin e raketave balistike, ndalimi i mbështetjes për grupet që destabilizojnë Lindjen e Mesme dhe lirimi i menjëhershëm i dy qytetarëve francezë të mbajtur në Iran për afro tre vjet.
Macron paralajmëroi se programi bërthamor i Iranit paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin rajonal dhe më gjerë, ndërsa theksoi se sulmet ajrore izraelite nuk do të mjaftojnë për të eliminuar këtë rrezik. “Askush nuk beson se sulmet izraelite janë të afta ta zhdukin këtë kërcënim. Shumë nga objektet iraniane janë të mbrojtura mirë, dhe ne ende nuk e dimë me siguri ku ruhet saktësisht uraniumi i pasuruar,” u shpreh kreu i Elizesë.
Ai nënvizoi gjithashtu se asnjë veprim nuk mund të justifikojë dëmet mbi infrastrukturën energjetike dhe popullsinë civile, duke bërë thirrje për përgjegjshmëri nga të gjitha palët e përfshira.