Lushnjë/ Tentoi të grabiste kasollen, plagos me armë gjahu pronarin! Arrestohet 65-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Lushnjë, ku një 65-vjeçar ka tentuar të grabisë një kasolle dhe ka plagosur me armë gjahu pronarin e ambientit.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi F. M., 66 vjeç, ka bërë kallëzim pranë Policisë, duke deklaruar se një person kishte hyrë gjatë natës për të vjedhur në kasollen në pronësi të tij. Ai ka treguar se e ka kapur autorin në flagrancë dhe gjatë përplasjes, ky i fundit e ka qëlluar me armë gjahu.
Menjëherë pas kallëzimit, strukturat e Komisariatit të Policisë Lushnjë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat, u bë e mundur arrestimi i të dyshuarit, D. D., 65 vjeç.
I plagosuri, shtetasi F. M., ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të autorit.