Lundroi në zonën e ndaluar dhe rrezikoi pushuesit në Borsh, ndëshkohet me gjobë drejtuesi i skafit

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në plazhin e Borshit, ku një mjet lundrues tip skaf ka shkelur perimetrin e sigurisë ujore, duke hyrë në zonën e dedikuar për pushuesit dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Ngjarja u denoncua përmes pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale, çka solli reagimin e menjëhershëm të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Pas lokalizimit të mjetit që u shfaq në video, shërbimet e Policisë Kufitare të Himarës bllokuan skafin dhe identifikuan drejtuesin e tij, shtetasin A. Ll., i cili u ndëshkua me masë administrative prej 100 000 lekësh, në bazë të nenit 24/1/c të ligjit nr. 43/2020 “Për aktivitetet detare”.

Policia thekson se zhvillimi i aktiviteteve me mjete lundruese jashtë zonave të përcaktuara për këtë qëllim përbën shkelje të rëndë dhe rrezikon sigurinë e qytetarëve, sidomos gjatë sezonit turistik kur plazhet janë të mbipopulluara.

“Apelojmë për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore dhe të zbatojnë rregullat për përdorimin e këtyre mjeteve,” thuhet në deklaratën e Policisë Kufitare.