“Lulëzimi ishte xheloz se pse Vehabit i kishte ecur më shumë”… Çfarë mallkimi e përgjaku familjen Cami…

Nga Aida TOPALLI

Mëngjesi i kësaj të enjteje, datë 4 janar 2024, erdhi me një ngjarje të rëndë. Vehab Cami, 63 vjeç, shkoi në banesën e vëllait të tij të madh, Lulëzim Cami, 68 vjeç, piu kafenë e mëngjesit të shërbyer nga e nusja e djalit të vëllait të tij, dhe pa bërë shumë zhurmë, e qëlloi me një plumb, duke e lënë të vdekur në vend 68-vjeçarin. E menjëherë pas këtij akti të rëndë, armën e ktheu nga vetja, për t’i dhënë fund jetës, po me një plumb.  Shkak, sipas policisë, dyshohet të jenë konfliktet për pronën.

Lulëzim dhe Vehab Cami migruan nga fshati Tërbaç i Dibrës në drejtim të kryeqytetit, rreth dy dekda më parë. Si miliona shqiptarë të tjerë që lanë vendlindjen, për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, në Tiranë. Ata nuk flisnin me njëri-tjetrin, prej vitesh. Një metodë kjo e fandaksur e fiseve shqiptare në veri të vendit.  Dhe ashtu, njëri ndërtoi jetën në Lundër, e tjetri në Fresk.

Vehabit i kishte ecur më shumë. Fëmijët kishin emigruar jashtë vendit duke sjellë të ardhura e duke e bërë familjen më të kamur. Ndërsa Lulëzimit, jo edhe aq. Këto xhelozi vëlla me vëlla, kishin çuar edhe në lindjen e pakënaqësive të para, duke shkuar dëri në pikën, që nuk flinsnin e nuk e shihnin më njëri-tjetrin. Është si ajo shprehja: U ndanë për së gjalli.

Sot, Vehabi, mori rrugën nga Lundra në Fresk, për të shkuar me gjasë, për t’u pajtuar me të vëllanë. Por me vete mori edhe armën. Mesa duket, në gjakftohtësi të plotë, ai shkoi për ta vrarë atë. Pajtimi, ishte vetëm një justifikim.

Dhe ashtu bëri. Një konflikt për metrat e tokës që nuk kushtojnë as 5 mijë lek të vjetra metri, në një zonë të thellë të Dibrës. E në thelb, toka mbeti aty. Asnjëri nuk e mori me vete. Edhe konfliktin vëlla me vëlla jua pllakosën në gjak fëmijëve të tyre. I morën jetën njëri-tjetrit. Ndoshta, siç një traditë e mallkuar veriore ekziston, me qëllimin për të shuar vazhdën, i merret jeta nimsëtarëve të konflikteve banale, që brezat të jetojnë të qetë.

Marrë në pyetje, bashkëshortja e autorit të krimit, Vehab Cami, është shprehur se nuk kishte dijeni të kenë pasur konflikte. Ata thjesht nuk flisnin me njëri-tjetrin. Ndërsa sipas saj, Lulëzimi ishte xheloz se përse Vehabit i kishte ecur më shumë nga ana ekonomike.