Lula da Silva kërcënon Trump-in: Do të hakmerremi nëse vendosen tarifa ndaj Brazilit

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka paralajmëruar administratën e Donald Trump se Brazili do të hakmerret nëse SHBA vendos tarifa tregtare ndaj produkteve braziliane.

“Është shumë e thjeshtë: nëse ai takson produktet braziliane, ne do të hakmerremi”, deklaroi Lula gjatë një konference për shtyp në Brasilia. Ai theksoi se dëshiron marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjellë mes dy vendeve, duke kujtuar se të dy janë liderë të zgjedhur demokratikisht.

Lula gjithashtu kritikoi politikat e Trump, përfshirë tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke e cilësuar atë si një “kthim prapa për qytetërimin njerëzor”. Ai shtoi se refuzimi i financimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) përbën një pengesë për përparimin global.

Megjithatë, presidenti brazilian konfirmoi se i ka dërguar një letër urimi Trump-it, por hodhi poshtë mundësinë e një takimi të afërt mes tyre. Përplasja mes dy liderëve rrezikon të përshkallëzojë tensionet ekonomike mes Brazilit dhe SHBA-së në muajt në vijim.