Luksi i krimit- SPAK zbulon 3 diamante dhe pasuritë e Çopjave

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë një tjetër goditje të fortë ndaj organizatës kriminale të Çopjave, duke sekuestruar pasuri të dyshuara si të vëna nga aktiviteti kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara spikat një varëse floriri me tre diamante. Replikë hulumtoi më tej dhe rezulton se ky është rasti i parë, që organet tona të hetimit zbulojnë edhe diamantë si pjesë e pasurisë së fshehur me burim nga aktiviteti kriminal.

*Sekuestrimi i ‘Solis Farm’ – Një Pasuri e Ndërtuar mbi Paratë e Krimit*

Më 18 shkurt 2025, SPAK firmosi sekuestrimin e “Solis Farm”, një kompleks agroturizmi në Baldushk, i dyshuar si një investim i bërë me paratë e organizatës kriminale të Franc dhe Hajdar Çopja.

Biznesi përfshin:

Një godinë dykatëshe, me restorant, sallon dhe dhoma akomodimi.

 • Ambientet e jashtme, duke përfshirë një kënd lojërash për fëmijë dhe një hapësirë ku mbaheshin shpendë.

 • Mobilie dhe pajisje të restorantit, të gjitha të vëna në sekuestro.

Sipas hetuesve, ky investim ishte pjesë e mekanizmit të pastrimit të parave përmes një aktiviteti në dukje të ligjshëm, por që kishte si burim kapitali fitimet nga krimi i organizuar.

3 Diamante, Rolex dhe Mijëra Euro Cash 

Së bashku me sekuestrimin e pasurisë, SPAK arrestoi administratorin e “Solis Farm”, Petrit Lakatos, i cili dyshohet si një ndër menaxherët e pasurive të Çopjave. Ai akuzohet për:

Pastrimin e produkteve të veprës penale

 • Pjesëmarrje në organizatë kriminale

 • Veprime penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal

Gjatë kontrollit personal ndaj tij, hetuesit sekuestruan:

Një varëse floriri me tre diamante

 • Një orë Rolex luksoz.

 • 2,940 euro dhe 203,000 lekë të rinj në cash.

 • 4 telefona celularë, të cilët do të analizohen për të zbuluar komunikimet dhe transaksionet e dyshimta.

Burime nga SPAK konfirmojnë se sekuestrimi i këtyre pasurive është vetëm një pjesë e operacionit më të gjerë kundër rrjeteve të pastrimit të parave nga trafiku i drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale të organizatës Çopja.

*Nga Trafiku i Kokainës te 10 Milionë Dollarë në Kriptovaluta*

Vetëm një muaj më parë, SPAK sekuestroi 10 milionë dollarë në kriptovaluta të organizatës së Çopjave. Hetimet zbuluan se grupi përdorte monedhat virtuale për të kryer transaksione nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, duke i fshehur fitimet përmes rrjeteve financiare të vështira për t’u gjurmuar.

*Rasti i Parë Ku Sekuestrohen Diamante*

Ky operacion shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, pasi është hera e parë që SPAK sekuestron diamante të përfshira në një skemë të pastrimit të parave.

Në të kaluarën, grupet kriminale kanë përdorur kryesisht pronat, automjetet luksoze dhe kriptovalutat si mënyra për të fshehur pasuritë e tyre, por ky rast tregon një zhvillim të ri në mënyrën se si grupet kriminale po investojnë dhe fshehin kapitalin e tyre të paligjshëm./Replikë.al