Luka Modric nuk bindet nga milionat, zyrtarizohet te skuadra e sezonit të ri
Milionat mund të blejnë çdo gjë, por jo dëshirën për të tentuar të tjerë trofe me skuadrën e zemrës.
Përballë shiut të parave që po mbërrin nga Arabia Saudite, Luka Modric ka zgjedhur pasionin, për të kërkuar sërish të lëre gjurmën e tij me Realin e Madridit. Ish-fituesi i Topit të Artë ka rinovuar edhe për një sezon me 14 herë kampionët e Europës, për të refuzuar kështu ofertat faraonike që mbërrinin nga Superliga arabe e futbollit.
Gjithçka është konfirmuar nga klubi spanjoll që e ka zyrtarizuar mesfushorin kroat të paktën deri në verën e vitit të ardhshëm. Sezoni i 12-të për Modric në kryeqytetin spanjoll, i cili mbërriti në Madrid nga Tottenham në vitin 2012.
Luka Modric do tentojë që të fitojë sërish me fanellën e Real Madrid, ku ka koleksionuar trofe të shumta ekipor dhe individual. 37-vjeçari ka fituar 3 tituj të La Liga, 2 Kupa Mbreti, 4 Superkupa Spanje, 5 Champions League, 4 Superkupa Europe dhe 5 Botërore Klubesh.
Në 488 ndeshje në të gjithë kompeticionet, Modric ka shënuar 37 gola me fanellën e Real Madrid.