Luis Rubiales shpallet fajtor për puthjen e futbollistes spanjolle Jenni Hermoso, gjykata e dënon me gjobë
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, është shpallur fajtor nga Gjykata e Lartë e Spanjës për puthjen e Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës për femra 2023.
Rubiales është dënuar me një gjobë prej mbi 10,000 euro, ndonëse prokurorët kishin kërkuar edhe një dënim me burg për të.
Gjatë gjyqit në Madrid, Hermoso deklaroi se nuk kishte dhënë kurrë pëlqimin për këtë veprim dhe se episodi ndodhi në një nga ditët më të lumtura të jetës së saj. Rubiales, nga ana tjetër, mohoi akuzat, duke këmbëngulur se puthja ishte e konsensuale dhe ndodhi në një moment gëzimi.
Përveç akuzës për sulm seksual, Rubiales u gjykua edhe për përpjekjen e tij për ta detyruar Hermoso të deklaronte publikisht se puthja ishte me pëlqim.