Luis Meçja, adoleshenti që mbeti i plagosur në ngjarjen tragjike ku humbi jetën Martin Cani, është shfaqur për herë të parë në një protestë, krah prindërve të viktimës dhe qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Meçja vazhdon të qëndrojë pas versionit të tij, duke deklaruar se autorët e ngjarjes ishin dy persona të armatosur me thika.
Prindërit e Martin Canit: “Heshtja na vret më shumë”
Prindërit e 14-vjeçarit, të shkatërruar nga dhimbja, kanë bërë thirrje për drejtësi dhe kanë kritikuar institucionet për mungesën e veprimit. Ata shprehen se ngjarja ka kaluar pa reagimin e duhur nga Prokuroria, shkolla dhe institucionet shëndetësore.
Babai i viktimës tregoi se Martini, në momentin e ngjarjes, u transportua në disa spitale, përfshirë atë Ushtarak, por nuk mori ndihmën e nevojshme. Ai i bëri thirrje të rinjve dhe prindërve që të bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe siguri për fëmijët e tyre.
“Heshtja vret më shumë se gjithçka. Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe dhe nuk kemi asnjë reagim. Kemi një traumë të madhe, dhe i bëj thirrje institucioneve të veprojnë. Nuk dua që asnjë familje tjetër të përjetojë këtë dhimbje.”
Nëna e Martin Canit: “Dua vetëm drejtësi”
Nëna e Martin Canit kërkoi shkurt dhe prerazi drejtësi për djalin e saj, duke theksuar se kjo është e vetmja gjë që ajo dëshiron në këto momente të vështira.
Ngjarja tragjike ka tronditur komunitetin dhe ka ngritur pikëpyetje për sigurinë e të rinjve dhe reagimin e institucioneve ndaj krimeve të dhunshme. Ndërkohë, protesta vazhdon me thirrjet për hetim të plotë dhe mbajtjen përgjegjës të autorëve.
View this post on Instagram