Luis Enrique merr drejtimin e skuadrës së re, firmos deri në 2025
Luis Enrique merr zyrtarisht drejtimin e PSG-së.
Trajneri spanjoll është prezantuar për mediat, duke marrë kështu vendin e lënë bosh nga Christophe Galtier. Ish-numri 1 i Barcelonës është shfaqur tepër i lumtur për këtë eksperiencë të re, në një kampionat që vetëm e kishte ndjekur nga televizori.
“Jam i lumtur që i bashkohem Parisit për të shijuar një përvojë të re. Është shumë emocionuese të takosh njerëz të rinj, të jetosh në këtë qytet, të mësosh një gjuhë të re dhe mbi të gjitha të menaxhosh PSG-në” tha Enrique në daljen para mediave.
PSG fitoi titullin e 11-të kampion në Francë nën drejtimin e Galtier dhe synon të ndërtojë një ekip të aftë për të triumfuar në Champions League.
Por përpos kësaj, përpjekjet kryesore do të bëhen për të bindur yllin e skuadrës, Kylian Mbappe për të qëndruar akoma dhe më gjatë në Paris. Francezi është i lidhur me një kalim te Real Madrid, skuadër që Enrique e ka pasur gjithmonë rival në eksperiencën e tij në Katalonjë.