Luis Diaz kërcen teksa varrosej Diogo Jota! Harrohet miqësia e dikurshme

Në një moment zie për futbollin europian dhe sidomos për klubin e Liverpool-it, sulmuesi kolumbian Luis Diaz është përballur me një valë kritikash të forta nga mediat dhe tifozët, për shkak të mungesës së tij në funeralin e Diogo Jotës dhe vëllait të tij, Andre Silva.

Për më tepër, një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale e tregon Diaz-in duke kërcyer në Kolumbi, në një aktivitet me sponsorë dhe influencues, në të njëjtën kohë që miqtë dhe bashkëlojtarët e tij po i jepnin lamtumirën mikut të ndjerë në Portugali. Pavarësisht deklaratave të tij për trishtim dhe dhimbje për Jotën, sjellja e Diaz është cilësuar e papërshtatshme dhe jo në përputhje me atë që pritej nga një mik i ngushtë.

Kritikat kanë qenë të ashpra jo vetëm nga tifozët britanikë, por edhe në Kolumbi, vendin e tij, ku media vendase ka reflektuar mbi mungesën e solidaritetit në një moment aq simbolik për mikun e tij të ngushtë. Kujtojmë se në një nga momentet më të vështira për Diaz-in, kur i rrëmbyen të atin, Diogo Jota ishte një nga të parët që shprehu publikisht mbështetje, duke e nderuar atë në fushë me një fanellë të personalizuar.

Vetë Luis Diaz ka deklaruar më herët se Jota ishte njeriu që e ndihmoi të integrohej në Angli dhe në klubin e Liverpool, duke e konsideruar si një vëlla të dytë. Por pikërisht kjo miqësi e ngushtë duket se u “thye” në ditën më të rëndësishme – atë të lamtumirës për Diogon.

Kritikat nuk janë kursyer as për Cristiano Ronaldon, i cili gjithashtu nuk mori pjesë në funeral, duke e shtuar tensionin mediatik rreth këtij rasti që ka prekur botën e futbollit dhe tifozët anembanë globit.