Luhet Europa dhe mbijetesa, java e 33 e Superligës premton emocione
Me interes priten edhe rezultatet në 4 sfidat e tjera të javës së 33-të të Superligës shqiptare. Gara për Kupat e Europës dhe për mbijetesë mbetet një mision për disa prej skuadrave elitare në vendin tonë. Egnatia duket se e ka të sigurtë kualifikimin historik, në raundet play-off të Conference League.
Rrogozhinasit numërojnë 5 pikë më shumë se Laçi ndjekës, teksa këtë të mërkurë do të sfidojnë Kastriotin e vendit të fundit. Një rival komod këtë sezon, pasi ka fituar dy dhe humbur një.
Egnatia po kalon një moment të mirë, teksa tashmë ka blinduar vendin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Përballje objektivash luhen në Kurbin, me Laçin që sfidon Kukësin. Kurbinasit garojnë për një vend në Kupat e Europës, ndërsa verilindorët duhet të dalin nga kriza dhe të shmangin rivalitetin për të qëndruar në elitë edhe sezonin e ardhshëm.
Pas fitores me Tiranën, Teuta mat forcat me Vllazninë, një kundërshtarë direkt për pozicion më të mirë në mesin e tabelës së renditjes.
Durrsakët udhëtojnë drejt “Loro Boriçit” me një bilanc jo shumë pozitiv këtë sezon, pasi ka barazuar dy herë dhe humbur një tjetër. Java e 33-të vendos kundër njëra-tjetrës dy ekipet me ecurinë më të dobët, Erzenin dhe Bylisin.
Shijakasit nuk fitojnë prej 7 sfidash, ndërsa ballshiotët kanë marrë vetëm një fitore në 10 javët e fundit. Bilanc negativ, me Erzenin që kërkon pikët për t’iu larguar zonës së ftohtë, ndërsa Bylis për të shmangur rënien nga kategoria, pozicion që po e mban aktualisht.