Tension dhe spektakël, por asnjë fitues. Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës i dhuron të gjitha, porpos asaj që dy ekipet kërkonin në fushën e lojës. Në “Arenën e Demave”, u zhvillua një lojë me tepër ritëm dhe tension, që u reflektua edhe nga fakti i akordimit të kartonave të kuq.
1-1 ishin shifrat finale të derbit të tretë të këtij sezoni, me të dy ekipet që vijojnë ecurinë e barazimeve radhazi në Superligë. Të kuqtë barazojnë për herë të tretë, madje duke e shmangur humbjen në limitet e kohës së rregullt. Ishte Tirana ajo që kaloi e para në epërsi. Ernest bëri gjithçka mirë në zemër të mbrojtjes kundështare dhe pas lëvizjeve të bukura, lëshoi një të djathtë për të kaluar në avantazh bardheblutë. Një gol që ngriti moralin te Tirana, ndërsa në krahun tjetër, Partizani rriti marshin në fushën e lojës për të shtuar sulmet.
Me avantazhin minimal 0-1, Tirana iu drejtua dhomave të zhveshjeve. Me rikthimin në fushë, dy teknikët freskuan skuadrën, me Veselinovic që hodhi në fushë kartën e shpëtimit. Sembene kërceu mbi rivalët për të shënuar golin e barazimit në të 89-ën minutë. Një gol që dërgoi në delir Partizanin, ndërsa rriti tensionet mes futbollistëve dhe stafeve të dy ekipeve për të akorduar edhe një “lumë” kartonash të kuq në të dy kampet. Me këtë barazim, Partizani ngjitet në kuotën e 40 pikëve, ndërsa Tirana mbetet e 8-ta me 23 pikë.