Lufta për lojërat e fatit në Vlorë/ Si funksiononte skema e atentateve, SPAK çon për gjykim 4 persona
Marrja e pushtetit për lojërat e fatit në qytetin e Vlorës, që prej marsit 2023 ka dyshimet se drejtohet në këtë qytet nga Ines Hajrulla dhe shoku i tij Ervis Matodashi, janë shkaqet se përse u porosit vrasja e tyre kundrejt pagesës.
Ky është konkluzioni hetimor i SPAK , në krye të nëntë muajve nga arrestimi i Amarildo Nikollit, që pranoi se ishte porositur nga Leonard Luzi për të vrarë dy vlonjatët, njëri i njohur ndryshe si Ini i Cones dhe tjetri me nofkën Coke qorri.
Duke i konsideruar si një grup kriminal SPAK njofton se Leonard Luzi, Amarildo Nikolli, Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno duhet të gjykohen nga gjykata kundër krimit të organizuar në Tiranë për akuzën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje kundër Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullës.
Në këtë pikë SPAK ka bindjen se ka mbledhur prova që kushëriri i të ndjerit, Leonard Luzi u financua nga një person tjetër për të vrarë Matodashaj dhe Hajrullën ndaj dhe pajtoi Nikollin si ekzekutor dhe dy të tjerët si ndihmës që e furnizuan me armë dhe kishin garantuar transportin e tij pas atentatit.
Por atentati pavarësisht shumës përmbi 200 mijë euro të premtuara nuk u realizua përmendet në hetime mbasi qitësi u arrestua nga policia e Vlorës.