Lufta me Izraelin e SHBA, Irani rrezikon përjashtimin nga Botërori i 2026

Irani zyrtarisht u kualifikua për Kupën e Botës FIFA 2026, duke u bërë skuadra e gjashtë e kualifikuar për turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Ky është kualifikimi i katërt radhazi dhe i shtati në histori për Ekipin Melli, falë një barazimi 2-2 kundër Uzbekistanit në stadiumin Azadi në Teheran. Dy golat vendimtarë u shënuan nga sulmuesi i Interit, Mehdi Taremi, që garantuan një vend në dy vendet e para të Grupit A në fazën finale të kualifikimeve të AFC-së.

Kjo arritje sportive po përballet me sfida serioze për shkak të tensioneve të fundit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sulmet ajrore amerikane ndaj objektivave iraniane kanë rritur frikën për një konflikt të gjerë, duke hedhur një hije mbi pjesëmarrjen e Iranit në një Botëror që do të zhvillohet pjesërisht në një vend me të cilin Teherani nuk ka marrëdhënie diplomatike.

FIFA po përballet me dilema të paprecedenta në këtë situatë. Në të kaluarën, organizata sportive ka pezulluar kombe të përfshira në konflikte, si Rusia pas pushtimit të Ukrainës dhe Jugosllavia në vitet 1990. Edhe pse aktualisht nuk ka ndalim zyrtar për Iranin, kjo mund të ndryshojë, sidomos për shkak të marrëdhënieve të ngushta midis presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe administratës amerikane.

Një tjetër sfidë është urdhri ekzekutiv i Presidentit amerikan Donald Trump, i cili nga 20 janari 2025 ka vendosur kufizime të rrepta për vizat për qytetarët e 41 vendeve, përfshirë Iranin. Kjo pengon hyrjen e tifozëve iranianë dhe potencialisht e vështirëson kalimin e lojtarëve dhe stafit në Shtetet e Bashkuara, duke cenuar mbështetjen e ekipit gjatë turneut.

Struktura e turneut gjithashtu komplikon situatën, pasi Irani do të duhet të luajë të paktën një ndeshje në Shtetet e Bashkuara dhe në rast kualifikimi në fazat e mëtejshme, do të përballet me nevojën për të qenë prezent në Miami, duke bërë çështjen e vizave një problem të pashmangshëm.

Në vitin 1998, ndeshja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Botërorin e Francës ishte një moment i rrallë dialogu dhe paqeje, por klima aktuale duket larg një perspektive të tillë.

FIFA duhet të zgjedhë mes ruajtjes së universalitetit të Kupës së Botës dhe presioneve të forta gjeopolitike, ndërsa futbolli iranian përballet me një paradoks: gëzimi i një kualifikimi historik kërcënohet nga zhvillime jashtë fushës së lojës.