Lufta Izrael-Iran/ Teherani refuzon bisedimet bërthamore, Trump kritikon Europën dhe paralajmëron afat për Teheranin
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa Irani ka deklaruar zyrtarisht se nuk do të rifillojë bisedimet për programin e tij bërthamor për sa kohë që vendi mbetet nën sulmet ushtarake të Izraelit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pas takimeve me diplomatët evropianë në Gjenevë, u shpreh se Teherani do të jetë i gatshëm për negociata vetëm pasi të ndalen “agresionet izraelite”.
Deklarata e tij erdhi pak orë pasi ministri izraelit i mbrojtjes paralajmëroi për një “fushatë të zgjatur” kundër Iranit, duke theksuar se Izraeli duhet të përgatitet për “ditë të vështira”. Ndërkohë, gjatë natës, luftime të ashpra u raportuan në disa zona, me ushtrinë izraelite që kreu një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës iraniane të raketave. Sipas mediave izraelite, shpërthime u dëgjuan pranë Tel Avivit dhe një ndërtesë në qendër të qytetit u përfshi nga flakët pas rënies së copave të raketave.
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër, duke deklaruar se Irani ka maksimumi dy javë kohë për të shmangur sulmet ajrore të mundshme nga SHBA, ndërsa la të hapur mundësinë e një vendimi më të shpejtë. “Izraeli po fiton luftën, është e vështirë të kërkohet ndalimi i sulmeve në Iran”, tha Trump për gazetarët, ndërsa kritikoi BE-në për qëndrimin e saj. “BE-ja nuk është e dobishme në negociata”, shtoi presidenti amerikan.
Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që Irani të angazhohet në negociata me të gjitha palët, përfshirë SHBA-në, edhe pa kushtëzimin për ndalimin e sulmeve.
Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se nuk do të ndalë goditjen e objekteve bërthamore iraniane derisa ato të shkatërrohen plotësisht. Situata në terren po bëhet gjithnjë e më e rëndë: Irani raportoi se të paktën 224 persona kanë humbur jetën deri tani, ndërsa një grup i të drejtave të njeriut flet për mbi 600 viktima. Në Izrael, numri i të vrarëve ka arritur në 25, pas një sulmi me 20 raketa që goditën qytetin Haifa.