Lufta Izrael – Hezbollah/ IDF godet objektivat në Liban: Parandaluam sulmin! Grupi militant nisi 320 raketa! 48 orë gjendje e jashtëzakonshme

Orë tensioni në Lindjen e Mesme. Ushtria izraelite ka ndërmarrë një sulm ndaj atyre që i quan “objektiva terroriste në Liban” pasi identifikoi se grupi militant Hezbollah po përgatitej të qëllonte me raketa në drejtim të territorit izraelit, në orët e para të mëngjesit të sotëm (25 gusht 2024). Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) thanë se rreth 200 raketa ishin lëshuar nga Libani në drejtim të Izraelit, sot herët në mëngjes. Nga ana e tij grupi militant thotë se ka lëshuar më shumë se 320 raketa drejt Izraelit duke synuar 11 objekte ushtarake në pjesën veriore të vendit. Hezbollah deklaroi se filloi një operacion “në shkallë të gjerë” dhe se ka dërguar drone, si dhe raketa Katjusha drejt Izraelit.

Më pas grupi militant deklaroi se kjo ishte “faza e parë” e sulmeve të tij kundër Izraelit dhe se operacioni  “kishte përfunduar me sukses të plotë”.  Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme 48-orëshe në të gjithë Izraelin. Ndër objektivat që do të godiste Hezbollahu – raporton IDF – ishte edhe Ministria izraelite e Mbrojtjes në Tel Aviv.

“Do të godasim këdo që na lëndon’ tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahy pasi mblodhi në një takim urgjent kabinetin qeveritar

Ushtria izraelite tha se ka kryer sulme parandaluese kundër objektivave të Hezbollahut në Liban pasi zbuloi planin. Ndërkohë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se presidenti amerikan Joe Biden po “monitoron nga afër ngjarjet në Izrael dhe Liban”. “Gjatë gjithë natës ka qenë bashkë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare” tha Savett.

 “Nën drejtimin e tij, zyrtarë të lartë amerikanë komunikuan vazhdimisht me homologët e tyre izraelitë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt stabilitetit rajonal” tha ai.

Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm pasi Izraeli vrau një komandant të Hezbollahut në Bejrut pothuajse një muaj më parë.

Check Also

Shqipëria ngjitet me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike 2024, sipas ITU

  Shqipëria ka bërë një përparim të rëndësishëm në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike 2024, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *