“Luajmë për paqe”, Cristiano Ronaldo i dërgon dhuratën e veçantë presidentit Donald Trump
Një moment i veçantë dhe simbolik u regjistrua gjatë samitit të Grupit të Shtatë (G7) këtë javë, ku presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i dorëzoi presidentit amerikan Donald Trump një fanellë të kombëtares së Portugalisë të firmosur nga ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo.
Takimi privat mes dy liderëve u zhvillua të hënën në Kananaskis të Albertës, ku Costa, ish-kryeministër i Portugalisë dhe që nga viti 2024 në krye të Këshillit Europian, mbërriti për të përfaqësuar Bashkimin Europian në këtë samit të nivelit të lartë.
Fanella, e kuqe, me numrin 7 dhe emrin e Ronaldos, mbante një dedikim të shkruar me dorë nga vetë futbollisti: “Për Presidentin Donald J. Trump! Luajmë për paqe”. Gjatë dorëzimit, Costa lexoi me zë të lartë mesazhin përpara se t’ia jepte dhuratën Trump-it. Presidenti amerikan u shfaq i kënaqur nga ky gjest, duke buzëqeshur dhe duke deklaruar: “Më pëlqen. Luajmë për paqe”.