Londër/ EncroChat fundos organizatën shqiptare! 832 kg kokainë, mbi 65 vite burg për trafikantët

Një organizatë kriminale shqiptare që operonte në Londër dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është goditur rëndë nga autoritetet britanike, pas një hetimi të gjatë të Policisë Metropolitane të Londrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA). Në qendër të këtij rrjeti ishte Redon Bushi, 32 vjeç, nga Brentford, i cili për vite me radhë kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar trafiku droge, duke bashkëpunuar me korrierë dhe importues të shumtë.

Nëpërmjet aplikacioneve të koduara EncroChat dhe Signal, hetuesit zbuluan se Bushi, me pseudonimin “Sealvermouth”, kishte komplotuar për të shpërndarë të paktën 832 kg kokainë, me një vlerë në treg që kapte 81.6 milionë paund. Pas provave të pakundërshtueshme, ai pranoi fajësinë më 10 korrik 2024 dhe më 9 korrik 2025 u dënua me 24 vite e 10 muaj burg.

Hetimet zbuluan një rrjet të mirëstrukturuar, ku përveç Bushit, përfshiheshin edhe disa korrierë të besuar:

-Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç – u dënua në korrik 2020 me 2 vite e 3 muaj burg për posedim të pasurisë kriminale.

-Arline Sida, 23 vjeç – u dënua më 9 korrik 2025 me 12 vite e 9 muaj burg.

-Kelvin Hoxha, 23 vjeç – u dënua me 11 vite e 8 muaj burg.

-Luke Ferguson, 32 vjeç – u dënua me 14 vite e 5 muaj burg.

Në gusht 2023, Sida dhe Hoxha u arrestuan me 6 kg kokainë, ndërsa Ferguson u kap në një “shtëpi të sigurt” me 72 kg drogë, me vlerë mbi 6.2 milionë paund. Hetuesit gjetën gjithashtu 700,000 paund cash gjatë ndalimit të një tjetër korrieri.

Pas arrestimit të bashkëpunëtorëve, Bushi tentoi të fshihej në disa hotele duke përdorur telefona të rinj dhe mbi 3,000 paund në para, por u arrestua në Reading pak ditë më vonë.

Hetuesi David Leitner deklaroi: Ky rast dëshmon vendosmërinë tonë për të luftuar krimin e organizuar, duke shfrytëzuar mundësitë unike që ofroi zbulimi i EncroChat. Bushi besonte se ishte i mbrojtur, por këto platforma na ofruan provat që na duheshin.