Lokali në Fier shkrumbohet nga zjarri, Policia ndalon 5 persona dhe shpall në kërkim 19-vjeçarin

Një lokal bregdetar në Darzezë, Fier, është shkrumbuar nga një zjarr, ndërsa Policia e Fierit ka ndaluar pesë persona dhe shpallur në kërkim një 19-vjeçar. Zjarri, që ndodhi ditën e diel, u pikas fillimisht nga banorët e zonës që njoftuan shërbimet zjarrfikëse, të cilat arritën të shuajnë flakët, por lokali i ndërtuar me dru u djeg totalisht brenda disa minutash.

Lokali, në pronësi të A. B., kishte funksionuar për pesë vjet gjatë sezonit veror. Dëmi i shkaktuar është përllogaritur në 30 milionë lekë, duke përfshirë pajisjet, shezlongët dhe çadrat që ndodheshin brenda ambienteve.

Policia dyshon se zjarri mund të ketë qenë aksidental, pasi pranë lokalit janë parë vizitorë që kanë konsumuar birra dhe cigare. Megjithatë, hetimet vazhdojnë për të dokumentuar shkakun e zjarrit.

Personat e ndaluar janë A. T. (23 vjeç), E. M. (20 vjeç), A. S. (20 vjeç), E. L. (19 vjeç) dhe D. L. (19 vjeç), të gjithë banues në Fier, ndërsa A. R. (19 vjeç) është shpallur në kërkim. Po kryhen hetime për të identifikuar përgjegjësinë penale të secilit prej tyre.

Prokuroria e Fierit ka nisur procedimin për “Shkatërrimin e pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.