Lokali i vëllezërve Dukaj ndodhej afër vendit të ngjarjes, detaje nga hetimet për vrasjen e Eduart Reçit! Si u zbulua pozicioni nga ishte qëlluar biznesmeni

Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi më 13 nëntor, pranë banesës dhe pallatit të tij me një plumb në kokë.

Hetuesit kanë ndjekur gjurmët e dy vëllezërve, Shkëlqim Dukaj, efektiv i OPGJ-së në komisariatin numër 2 në Tiranë dhe vëllait të tij, Florian Dukaj, me të cilët Reçi kishte pasur konflikte për një pronë ku synonte të investonte për ndërtimin e një pallati

Policia ka bërë të mundur zbardhjen e rrethana të ngjarjes së rëndë pas një serie hetimesh të thelluara dhe analizash. Sipas burimeve nga Policia, hetuesit realizuan një eksperiment hetimor për të përcaktuar pozicionin e mundshëm nga ku mund të ishte qëlluar biznesmeni, si dhe drejtimin e plumbit që shkaktoi vdekjen e tij.Në vijim të hetimeve, policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Dukaj.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre, që ndodhen afër vendit të ngjarjes, u sekuestruan prova të tjera materiale që mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në ngjarjen kriminale.

Pas realizimit të një sërë veprimesh hetimore dhe kontrolli të dokumenteve, dy vëllezërit Dukaj u arrestuan dhe janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje armësh”.