Lokal sezonal përfshihet nga flakët në Fier, dyshimet e para mbi shkakun e zjarrit
Një lokal sezonal në bregdetin e Darëzezës, Fier, është përfshirë nga flakët pasditen e sotme rreth orës 17:30. Banorët e zonës ishin të parët që vunë re zjarrin dhe njoftuan shërbimet zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve.
Megjithatë, për shkak të materialeve të ndërtimit, kryesisht druri, lokali u dogj plotësisht brenda pak minutash, pavarësisht përpjekjeve të banorëve për të ndihmuar me mjete rrethanore.
Lokali ishte në pronësi të shtetasit A. B. dhe funksiononte gjatë muajve të verës prej pesë vitesh. Sipas përllogaritjeve të para, dëmi ekonomik arrin rreth 30 milionë lekë të vjetra. Nga zjarri janë shkatërruar të gjitha pajisjet brenda lokalit, si dhe 120 shezlongë dhe 60 çadra.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri mund të ketë qenë aksidental, pasi dëshmitarët kanë raportuar se pak para ngjarjes disa vizitorë kishin konsumuar pije dhe cigare pranë lokalit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.