“Logjikë nën nivelin e një 12-vjeçari”, Rama reagon pas vendimit të gjykatës: Shpifja e Bashës ndaj meje u…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila rrëzoi padinë që ai kishte ngritur ndaj Lulzim Bashës në vitin 2018 për shpifje.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ironizoi arsyetimin e gjykatëses, duke e cilësuar atë si një “ngjarje satirike gjyqësore” që duhet të shqetësojë të gjithë sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas tij, gjykata vendosi se shpifja nuk ekziston përderisa nuk ka ndikuar në perceptimin publik ndaj tij, sepse “ende jam kryeministër”.
Rama theksoi se ky arsyetim nuk është marrë nga një libër humoristik, por nga një gjykatë, dhe shprehu shqetësimin e tij duke përmendur se gjykatëset që marrin këto vendime paguhen më shumë se një mësuese apo mjeke, duke lidhur këtë me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje page prej 700 eurosh.
Kryeministri e cilësoi logjikën e vendimit “më të ulët se ajo e një fëmije 12-vjeçar” dhe i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, që të ndërhyjnë dhe të vendosin përgjegjësi për raste të tilla që, sipas tij, minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Problemi nuk është vetëm një çështje shpifjeje, por ajo që mund të ndodhë me çështje shumë më të rëndësishme që prekin jetën e njerëzve të zakonshëm,” përfundoi Rama në reagimin e tij.
Reagimi i plotë:
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!! Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!
Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?! Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!