LISTA/SPAK zbardh strategjinë për parandalimin e krimit zgjedhor, krijon “Task-Forcën” me prokurorë në terren

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur strategjinë e saj për parandalimin e krimeve zgjedhore, duke krijuar një Task-Forcë të veçantë që do të funksionojë për një periudhë 3-mujore, nga shkurti deri në maj 2025, për të monitoruar dhe hetuar parregullsitë e mundshme gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Në krye të kësaj Task-Force do të qëndrojë kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, ndërsa një grup prej 20 prokurorësh do të shpërndahen në 12 qarqet e vendit, duke bashkëpunuar me strukturat policore dhe oficerët e BKH-së për evidentimin dhe goditjen e rasteve të blerjes së votave dhe manipulimeve elektorale.

Lista e prokurorëve të caktuar sipas qarqeve:
• Tiranë – Altin Dumani, Adnand Xholi, Klodian Braho
• Gjirokastër – Arben Kraja
• Elbasan – Ols Dado
• Shkodër – Dritan Premçi
• Kukës – Anita Jella
• Berat – Behar Dibra
• Durrës – Edvin Kondili
• Fier – Doloreza Musabelliu, Sotir Kllapi
• Dibër – Ervin Gokaj
• Korçë – Vladimir Mara
• Vlorë – Elida Kaçkini, Bledar Maksuti, Manjola Kajana

Task-Forca e SPAK do të mbajë takime të rregullta me drejtorët e policisë në secilin qark për të ngritur mekanizma operativë që synojnë të identifikojnë dhe dokumentojnë raste të mundshme të blerjes së votave dhe ndërhyrjeve të paligjshme në procesin zgjedhor.

Prokurorët dhe oficerët e BKH-së do të jenë të pranishëm në terren, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke ndërhyrë në raste flagrante të shkeljeve ligjore. Ky angazhim i SPAK-ut shihet si një përpjekje për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pandikuar nga krimi elektoral.