Lirohet nga burgu aktori i telenovelave William Levy, rrëfen versionin e tij pas arrestimit në Florida

Aktori i njohur kubano-amerikan, William Levy, është liruar nga burgu në qarkun Broward, Florida, pasi u arrestua për shkak të një incidenti të ndodhur në një restorant në Fort Lauderdale. Levy, i famshëm për rolet e tij në telenovelat meksikane, u ndalua nën akuzat për dehje dhe shkelje të pronës private.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 1 prill, rreth orës 22:10, në restorantin “Baires Grill”, ku aktori po darkonte me miqtë e tij. Sipas raportit të policisë, Levy kishte porositur një raund pije për të gjithë në tryezë, por pas marrjes së faturës ka refuzuar ta paguajë, duke pretenduar se e kishte kryer tashmë pagesën. Gjithashtu, dokumenti përmend se aktori ishte në gjendje të dehur dhe kishte pasur një përplasje fizike me një punonjëse të restorantit.

Pas arrestimit, William Levy mohoi çdo akuzë. Ai deklaroi për mediat se situata kishte degraduar pasi kishte ndërhyrë për të qetësuar një konflikt që po ndodhte në grupin e tij: “Ishte një situatë paksa e vështirë sepse piva disa pije me ekipin, siç bëjmë zakonisht. Më pas ndodhi një zënkë me dikë tjetër dhe unë ndërhyra për të mos u përshkallëzuar, por përfundova në pranga.”

Levy dha 250 euro garanci për çdo akuzë dhe u lirua disa orë më vonë. Ai mohoi se kishte ushtruar dhunë ndaj ndonjë punonjësi dhe kundërshtoi akuzat për refuzim pagese apo dehje ekstreme. Ndërkohë, sipas dokumenteve ligjore, ai ishte urdhëruar disa herë nga stafi që të largohej nga ambienti, gjë që ai nuk e ka respektuar, duke çuar në ndërhyrjen e policisë.