Lirohet hapësira publike te “Uji i Ftohtë”, procedohet penalisht administratori i një subjekti
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, po vijojnë me intensitet veprimtaritë për lirimin e hapësirave publike përgjatë bregdetit dhe për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.
NJOFTIMI I POLICISE:
Strukturat e DVP Vlorë, angazhim maksimal në të gjithë qarkun, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Lirohet një hapësirë publike në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, procedohet penalisht administratori i subjektit që kishte zënë këtë hapësirë duke vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, pranë një restoranti në lagjen “Uji i Ftohtë”, konstatuan se administratori i këtij subjekti, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike prej 300 m², në të cilën kishte vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa qenë i pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimi penal ndaj shtetasit G. I., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.