Lirohen hapësira të tjera në Currila, sekuestrohen 91 çadra e shezlongë

Policia e Durrësit ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se janë liruar hapësira të tjera në plazhin e Currilave, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme ndërsa janë sekuestruar 91 komplete me çadra e shezlongë dhe janë proceduar penalisht 3 persona.

“Shërbimet e Komisariatit Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1, u hoqën dhe u sekuestruan në total 91 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, D. V., 56 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, njofton policia.